Festë për Ditën e Flamurit

28nentorNë shkollën tonë është bërë traditë që të organizohen festa shumë të bukura dhe madhështore në ditët e veçanta kombëtare dhe ditët tjera të rëndësishme.

Një organizim i tillë dinjitoz ishte edhe në Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor.

more photos

Kjo festë u organizua nga profesoresha e gjuhës shqipe Lirie Zeqiraj në bashkëpunim edhe të profesoreshës Lumnie Thaqi Halili dhe në mbështetje të madhe të drejtorit të shkollës Yusuf Karabina.

Për këtë ditë të veçantë shkolla u zbukurua me flamuj kombëtarë në çdo cep të saj dhe me shumë projekte me përmbajtje historike dhe arsimore. Në ballinën e jashtme të shkollës valonin krenarë flamuri i Kosovës dhe ai i Turqisë.

Atmosferën e gjallëroi programi festiv me këngë të bukura, valle popullore dhe recitime artistike. Në program morën pjesë shumë prindër dhe mysafirë të tjerë, të gjithë profesorët e shkollës dhe shumë nxënës. Me prezencën e tij na nderoi edhe kryetari i Komunës së Lipjanit Shukri Buja, pastaj drejtori gjeneral i shkollës Turgay Şen, drejtori i shkollës Yusuf Karabina, zëvendësdrejtorët Ahmet Oguz, Ibrahim Sevimli, Faik Bolat dhe Gokhan Aydemir.

Kjo festë e bukur dhe madhështore u përmbyll nën tingujt e këngës së bukur “Xhamadani vija-vija” dhe vallës të luajtur nga nxënëset e klasës së njëmbëdhjetë.

Në fund festën e bëri magjepse dhe të paharruar torta në formë të flamurit kombëtar dhe shumë fishekzjarre të cilat shpërthyen njëra pas tjetrës.

Festa u përmbyll me një koktej, të cilin e organizoi drejtori i shkollës në shenjë respekti për mysafirët dhe festën e flamurit.

 

KOLEGJI “MEHMET AKIF” JUA URON TË GJITHËVE DITËN E FLAMURIT