Z. Demaçi dhe znj. Brovina në mesin e nxënësve të Kolegjit

ademaciMe ftesë dhe nën organizim të prof. Lumnie Thaçi-Halili, dy personalitete të njohura të Kosovës, z Adem Demaçi dhe znj. Flora Brovina, më datën 16 nëntor 2011, morën pjesë në një takim me nxënës në Kolegjin “Mehmet Akif” në Prishtinë. Mysafirët, i priti drejtori i Kolegjit, z. Jusuf Karabinaj, e më pastaj në emër të drejtorisë së shkollës, atyre u dëshiroi mirëseardhje organizatorja e takimit, prof. Lumnie. Interesimi dhe kërshëria e nxënësve të pranishëm ishte e madhe për t’u njohur edhe më shumë me veprimtarinë dhe jetën e këtyre dy figurave të shquara të letërsisë, të qëndresës dhe të lirisë së Kosovës. Në fillim të takimit, u lexuan në pika të shkurtra biografia e z. Adem Demaçi dhe e znj. Flora Brovina:

more photos

Adem Demaçi, për aktivitetin e tij të pa ndalur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, është shpallur Hero i gjallë, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ai ka vuajtur 28 vjet burg në kazamatet e Serbisë, por asnjëherë nuk u mposht e nuk e ndali veprimtarinë e tij atdhetare. Z. Demaçi, për veprën e tij u nderua edhe me çmime ndërkombëtare, ku do veçuar çmimin Saharov, me të cilin në vitin 1991 e nderoi Parlamenti Evropian. Ai, po ashtu është autor i një morie veprash letrare të zhanreve të ndryshme dhe drejton Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.

Flora Brovina, mjeke, poete dhe deputete e Parlamentit të Kosovës, ishte dhe është një zë i guximshëm për liri dhe demokraci, e cila fuqishëm përfaqëson forcën e femrës shqiptare. Ishte aktive në UÇK, përjetoi burgun serb për shumë vite, por ideali për liri nuk iu shua asnjëherë. Është autore e disa librave poetikë. Vargjet e saj janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe janë përfshirë në disa Antologji me karakter ndërkombëtar.

Në kuadër të takimit u lexuan pjesë nga krijimet letrare të mysafirëve dhe të nxënësve krijues të Kolegjit, siç janë: Rina Bardoniqi, Rita Ejupi, Loreta Zeqiri, Margjelë Shala, Gentianë Ratkoceri, Trëndelinë Buja etj. Nga bashkëbisedimi i zhvilluar me nxënësit: Okarina Gorani, Erdonita Humolli, Erëza Kida, Gresa Krasniqi dhe Besart , u mësua më shumë për veprimtarinë e Z. Demaçi dhe të znj. Brovina, për nivelin e demokracisë sot dhe për të ardhmen e Kosovës. Me këtë rast z. Demaçi dhe znj. Brovina, porositën nxënësit në formë mesazhi, që ta duan gjuhën e tyre, por edhe të mësojnë gjuhët e huaja për të komunikuar me botën. Kështu, do të jenë më të dobishëm edhe për atdheun, duke mësuar nga përvojat e vendeve të zhvilluara sot.

Në përmbyllje të takimit, të ftuarit falënderuan për mikpritje dhe shpërblyen me nga një libër-dhuratë nxënësit krijues: Rina Bardoniqi, Margjelë Shala dhe Trëndelinë Buja.