“Muza Poetike” Pegasi Albania dhe Pegasi Kosova

pegasiMe ftesë të Lidhjes së Poetëve Ndërkombëtarë Shqiptarë “PEGASI ALBANIA” e cila drejtohet nga presidenti z. Kristaq F. Shabani dhe “PEGASI KOSOVA”, në Kongresin Ndërkombëtar të Letërsisë “Muza Poetike Pegasi-Vitrina 2012”, nga Kolegji Mehmet Akif, Prishtinë, morën pjesë Prof. Lumnie Thaçi-Halili, autore librash e botuese dhe nxënësja Trëndëlinë Buja, krijuese letrare.

More photos

Kjo ngjarje me rëndësi për librin dhe poezinë, u mbajt nga data 20 deri më 24 prill 2012, duke i shndërruar Tiranën, Shkodrën, Pejën dhe Prishtinën, qendra të letërsisë, në të cilat morën pjesë shkrimtarë e studiues shqiptarë e të huaj nga vende të ndryshme të botës.

Brenda këtyre ditëve u zhvilluan shumë debate, orë letrare, u lexuan analiza të shumta nga kritikë të ndryshëm, u recituan poezi të autorëve të mirënjohur nga aktore në zë, si Margarita Xhepa-artiste e popullit e Drane Xhaja etj.

Në Kongres morën pjesë emra të njohur studiuesish e letrarësh, të cilët me temat dhe debatet e tyre ngjallën kërshërinë e të pranishmëve, ku ndër të tjerë do përmendur: Dr. Isak Shema-Prishtinë, Tozan Alkan-Turqi letrar, përkthyes, Tulay Akkoyun-Truqi, Rakel Viana-Brazil, Pavle Goranoviq-Mali i Zi, Manuel Laso- Peru, Jeton Kelemendi, letrar-Bruksel, Arian Kallço,Despna Kontaxis, Davor Shalak, Patrik Malta, Yllka Filipi-amerikë, Lana Derkac -Kroaci etj…

Kongresi Ndërkombëtar i Letërsisë “Muza Poetike Pegasi-Vitrina 2012”, përveç krijuesve e studiuesve të dëshmuar e me përvojë, në mesin e vet kishte edhe krijues të rinj, të cilët tashmë kishin botuar librat e parë ose ishin shumë aktivë rreth krijimtarisë letrare. Në mesin e këtyre krijuesve bënte pjesë edhe nxënësja e Kolegjit tonë Mehmet Akif, Trëndëlinë Buja, krijimet letrare të së cilës u mirëpritën kudo si në Tiranë, po ashtu edhe në Prishtinë. Prozat e saj poetike, “Biçikleta e dashurisë”, “Lina”, “Jeta”, “Errësirë pa dashuri”, me tema aktuale, lirike dhe rinore, u pritën ngrohtësisht nga të pranishmit dhe u vlerësuan lart nga juritë profesionale.Trëndelina u paraqit edhe me poezinë për Flamur Kombëtar, me të cilën ajo ndezi atmosferën në sallë. Ajo u nderua me vendin e parë, në mesin e krijuesve të rinj, duke marrë Mirënjohje nga PEGASI dhe Certifikatë nga Universiteti Vitrina, Tiranë. Për nxënësen krijuese, Trëndëlinë Buja, nga të pranishmit u tha, se është një penë premtuese e së ardhmes në këtë fushë.