Program Artistik për Nder të 6-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

pavaresia2014-Për nder të përvjetorit të gjashtë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Qendra Edukativo – Arsimore “Gulistan”, gjegjësisht shkolla fillore “ISP” dhe Kolegji “Mehmet Akif” – Lipjan, iu bashkangjitën vazhdës së organizimeve festive. Më datë 14.02.2014 në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, QEA “Gulistan” shfaqi një program kulturoro-artistik të përgatitur nga nxënësit dhe profesorët për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Ky program, i mbajtur në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, për të pranishmit solli një numër pikash artistike, të përgatitura me përkushtim nga nxënësit, nga më të vegjëlit e deri te më të rriturit, nën përkujdesjen e aktivit të mësimdhënësve.

more photos

Hapjen e programit e bëri kori  i Shkollës Internacionale të Prishtinës, me interpretimin e himnit kombëtar, ndërsa më pas, të gjithë të pranishmit patën rastin të ndiqnin një videoprojekt të shkurtër rreth historikut të 17 Shkurtit. Fjala përshëndetëse i takoi drejtorit të përgjithshëm të QEA “Gulistan”, Z. Mustafa Erdem, i cili jua uroi të pranishëmve dhe të gjithë shqiptarëve  këtë përvjetor të rëndësishëm. Më pas, vijuan pika të shumta artistike që ofruan atmosferë të këndshme dhe festive. Këngët më të bukura iu kënduan atdheut nga nxënësit e të dy shkollave të shoqëruar nga kori. Nuk munguan as vargjet e thurura me dashuri nga nxënësit e grupmoshave të ndryshme.

Salla e teatrit ishte e mbushur me mysafirë të të gjitha moshave, prindër të nxënësve si dhe personalitete nga Ministria e Arsimit,  Asambleja Komunale e Prishtinës, për të cilët u dhanë plaketa nderi nga QEA “Gulistan”, ndarjen e të cilave e bëri Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Z. Besim Beqaj.

Programi vijoi me shumë ekskluzivitete. Një ndër to, që u përcoll me shumë ovacione e duartrokitje nga të pranishmit ishte pika akrobatike e sjellë nën përkujdesjen e mësimdhënësve të edukatës fizike.

Kulminacioni i mbrëmjes u arrit me prerjen simbolike të tortës së pavarësisë nën tingujt e muzikës shqipe, të cilën patën rastin ta shijojnë të gjithë të pranishmit.

Programi u pëlqye dhe u duartrokit nga të gjithë, kurse nxënësit dhe profesorët morën shumë lëvdata dhe falenderime për programin e bukur dhe atmosferën festive që sollën në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.