12A në Aksion për Mbjelljen e Fidaneve në Oborrin e Shkollës

tree_planting12AKlasa 12A në bashkëpunim me kujdestaren e klasës, LIRIE ZEQIRAJ shquhen për organizimin e aktiviteteteve të shumëllojshme në shkollën tonë.
Gjatë këtij viti, që për ta është viti i fundit, sepse tashmë janë maturantë, kanë organizuar shumë aktivitete kulturore, bamirësie dhe shumë të tjera me karakter social.
Të gjithë janë të prirur për të bërë diçka më shumë se të tjerët dhe dallohen për shpirt kreativë në të gjitha fushat e jetës.

more photos


Meqenëse nga 25 nxënësit sa janë në klasë, 23 prej tyre janë nxënës të shkëlqyeshëm,
klasa 12 A gëzon një përkrahje edhe nga drejtoria e shkollës.
Tash, meqë hymë edhe me kalendar në stinën e pranverës dhe dëshira për ta shijuar kohën me diell dhe gjelbërimin është e madhe, menjëherë ju lindi ideja për ta filluar një aksion për mbjelljen e fidaneve në oborrin e shkollës.
Shkolla jonë ka një oborr shumë të gjërë dhe të gjelbëruar, prandaj hapësira për mbjelljen e fidaneve është e mjaftueshme.
Hapi i parë ishte grumbullimi i parave, për të cilin fond kontribuan të gjithë nxënësit bashkë me kujdestaren e klasës.
Hapi i dytë ishte blerja e fidaneve. Druri të cilin e zgjodhën ishte bliri, sepse është dru i bukur dhe me aromë të këndshme.
Hapi i tretë ishte mbjellja e fidaneve. Të gjithë nxënësit i morën lopatat dhe veglat tjera dhe filluan mbjelljen me dëshirë të madhe dhe shumë entuziazëm. Harmonia dhe lumturia shihej në fytyrat e të gjithëve.
Motivim ju dha edhe drejtori i përgjithshëm Mustafa Erdem me fjalët e bukura dhe përkrahjen të cilën jua dha.
Gjithashtu, edhe zëvendësdrejtori i shkollës Ahmet Oguz i përkrahu dhe ju dha zemër për punën e vyer që bënin.
Rezultati i këtij aktiviteti atraktiv dhe shumë të bukur ishte mbjellja e 30 fidaneve të drurit të blirit rreth rrugicës e cila të shpie drejt hyrjes së shkollës, e cila rrugë tash e tutje do të quhet: Rruga e Klasës 12A!
Nxënësit e klasës 12A pas dy muajsh do të diplomojnë dhe secili do ta ndjekë ëndrrën e vet, do ta ndjekë rrugën e dijes dhe të përparimit, kurse ne si shkollë do të ndjehemi krenarë gjithmonë me nxënësit tonë kudo që ata të mbërrijnë dhe urojmë që t’i arrijnë majat më të larta!
Kurse, fidanet e blirit të cilat i mbollën nxënësit e klasës 12A, do të rriten dhe do ta ruajnë kujtimin e bukur për ta dhe gjurmët e shenjta të cilat ata i lanë pas….