Vizitë e Kryetarit të Prishtinës në Kolegjin “Mehmet Akif”

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti e vizitoi Kolegjin tonë “Mehmet Akif” në Lipjan.
Zotëri Ahmeti u prit nga zv.Drejtori i Përgjithshëm i Institucioneve Arsimore “Gulistan” z. Yusuf Karabina dhe drejtori i shkollës, të cilët fillimisht e njoftuan kryetarin me sistemin e arsimit në institucionet e “Gulistanit”. Pastaj nga kryetari Ahmeti u vizituan edhe kabinetet dhe ambientet shkollore dhe me këtë rast pati mundësi që ta shohë se si zhvillohet procesi mësimor dhe gjithashtu të bisedojë dhe të takohet edhe me nxënësit e shkollës.
Kryetari Ahmeti një takim të veçantë e pati me nxënësit e dalluar dhe ata që kanë marrë pjesë në gara dhe olimpiada dhe të cilët e kanë përfaqësuar Kosovën në gara ndërkombëtare.Gjatë bisedës është informuar edhe për projektet dhe përgatitjet e tyre, për pjesëmarrje në gara dhe olimpiada të ndryshme që do të mbahen gjatë këtij viti shkollor nëpër botë.
Zotëri Ahmeti bashkëbisedoi me nxënësit ngrohtësisht duke i uruar për sukseset e arritura në mësim dhe aktivitete, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.
Nxënësve ju foli për jetën e tij shkollore dhe për punën e tij si kryetar i qytetit të Prishtinës.
Nxënësit e shkollës sonë i quajti të priviligjuar që i ndjekin mësimet në këtë ambient me kabinete dhe kushte shumë të mira, por edhe i këshilloi që të mësojnë sa më shumë dhe të arrijnë suksese të larta në mësime dhe në jetë.

more photos