Nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif” përfaqësojnë Kosovën në Tajlandë!

Përfundoi Olimpiada e 7-të e Matematikës e cila u organizua me punën vullnetare të “Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës”, në të cilën morën pjesë 24 komuna me 202 nxënës. Garuesit ishin nxënës të klasëve të 9-ta, të 10-ta, të 11-ta dhe të 12-ta.
Testi i parë, i cili u mbajt në lokalet e Kolegjit “Mehmet Akif”, ishte një garë e vështirë në të cilën secili nxënës përpiqej që të radhitet në 5 vendet e para. Në OMK 2015-të, nxënësit që dolën në vendin e I-rë, të II-të dhe të III-të, janë shpërblyer me medalje, mirënjohje dhe me 200, 150 dhe 100 Euro. Mirënjohjet dhe shumat e njëjta në të holla u janë ndarë edhe mësimdhënësve të nxënësve fitues për punën e tyre të deritanishme dhe si shtytje për punë të mëtejme.
Nga 20 finalistët e zgjedhur nga testi i parë janë përzgjedhur 6 garuesit e ekipit që do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, e cila do të mbahet në korrik të këtij viti në Tajlandë.
Testi për zgjedhjen e ekipit të Matematikanëve të Kosovës, i cili u mbajt më 29 mars, rezultoi edhe me një sukses tjetër për Kolegjin “Mehmet Akif”. Suksesi i kolegjit tonë filloi me Doruntina Sylejmanin e cila në vitin e kaluar e zuri vendin e parë në OMK -2014, ndërsa suksesin e saj këtë vit e vazhdoi Arbër Avdullahu (kl.11-të), i cili po ashtu e zuri vendin e parë në OMK -2015. Këta dy nxënës të Kolegjit “Mehmet Akif” do ta përfaqësojnë Kosovën në Tajlandë.
Nxënësit tanë fitues na kanë bërë krenarë edhe neve si institucion arsimor!
Kjo garë njihet si gara më sfiduese dhe më prestigjioze nga të gjitha garat tjera për nxënës të shkollave të mesme.
Nxënësve tanë si dhe ekipit garues të Kosovës i urojmë sukses në Tajlandë!