Ambasadori Italian për rininë Kosovare: Qëndroni dhe punoni për vendin tuaj

Ambasadori Italian për rininë Kosovare: Qëndroni dhe punoni për vendin tuaj

Ambasadori Italian Andreas Ferrarese të hënën vizitoi Kolegjin ”Mehmet Akif” me ç’rast zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit e kolegjit të cilët e pyetën ambasadorin për edukimin në Itali, liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, për futbollin italian, picat italiane dhe këshillat e tij për rininë e Kosovës.

Para bashkëbisedimit Ambasadori vizitoi disa laboratorë të ndryshëm si të Kimisë, Matematikës dhe mori një përshtypje të mirë nga nxënësit të cilët i treguan eksperimentet e tyre shkencore. Ferrarese përshëndeti nxënësit të cilët shumë prej tyre kishin marrë medalje të arta në olipmiadat shkencore ndërkombëtare.

I shoqëruar në tryezë edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i zinxhirit të shkollave Mehmet Akif Ambasadori gjatë bashkëbisedimit me nxënësit theksoi për rininë e Kosovës se “Ju keni dy alternativa që mund të bëni. Njëra është të edukoheni dhe të ndërtoni të ardhmen në Kosovë. Duke qëndruar këtu mund të mos keni një pagë të mirë por do ndiheni krenar që punoni për shtetin tuaj. Alternativa tjetër është të shkoni në një shtet Evropian dhe të punoni atje dhe të ndërtoni një jetë të mirë por në këtë mënyrë Kosova humbet energjinë, talentin dhe të ardhmen tuaj. Prandaj në këto momente Kosova ka nevojë që të mendoni se çmund të bëj unë për shtetin tim sepse Kosova është e juaja.”

Ambasadori Andreas Ferrarese më tej ju tregoi nxënësve informacione rreth liberalizimit të vizave duke shprehur se ky nuk mund të quhet një problem politik por është një problem teknik.

”Kosova duhet të përmbushë kushtet e vendosura nga zona Shengen e cila është një zonë e komplikua por Italia e mbështet liberalizimin e vizave me Kosovën.” tha Ambasadori.

Ambasadori ju përgjigj pyetjes së nxënsëve për mendimin e tij për kampionin e Serisë A Juventus duke theksuar së preferon të qëndrojë neutral sepse në kohën kur ishte kryeministër Berluskoni kishin dalë fjalë në Itali se ambasadorët mbështesin Milanin për shkak të kryeministrit.

Më tej vizita vazhdoi me nje dreke private e rrethuar nga disa nxënës dhe drejtorë të shkollës Mehmet Akif. Ambasadorja asnjëhere nuk harroi të falenderohet për mikpritjen e shkollës, dhe në përgjithesi të popullit shqiptar.

photos