U Mbajt Festivali Kulturor

cultureFest2016-

Shtëpia e Kulturës e Prizrenit ishte nikoqire e Festivalit Kulturor dhe Gjuhësor 2016 e organizuar nga kolegjet “Mehmet Akif” në Kosovë. Festivali, i cili për moto e ka promovimin e harmonisë kulturore të etnive që jetojnë në Kosovë, edhe këtë vit ishte me plot kuptimin e fjalës “Një mozaik i vërtetë kulturor”. Festivali, i cili u mbajt të shtunën me 27 shkurt, filloi me këngën e “Bareshës” të performuar nga grupi i mirënjohur “Etno Classic” dhe vazhdoi me një fjalim të shkurtër mirëseadhjeje të Drejtorit të Përgjithshëm të Institucionit Arsimor “Gulistan”, Z. Mustafa Erdem, i cili ndër të tjera tha: “Gjuha dhe kultura janë vlera dhe faktor i rëndësishëm në zhvillimin e një vendi. Kosova është me fat sepse ka një thesar kulturor. Ne si institucion arsimor do të kontribuojmë në kultivimin dhe ruajten e kësaj pasurie”.

Programi ishte i pasur me pika të ndryshme muzikore të kënduara në gjuhën shqipe, turke, boshnjake dhe angleze nga nxënësit tanë, si dhe me valle popullore si “Vallja e Tiranës”, “Vallja e Rugovës” dhe të tjera. Gjatë programit janë shpërblyer nxënësit që i kanë zënë vendet e para në Garën e Këndimit në Gjuhën shipe dhe Turke. Mirënjohjet për ta u dhanë nga Rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” Prof.Dr. Ramë Vataj si dhe Drejtori i përgjithshëm Z. Mustafa Erdem.

Meqë festivali u mbajt në Prizren, e ftuar ishte këngëtarja e njohur Rina Bilurdagu, fituese e Formatit “Voice of Albania”, e cila e këndoi këngën “Hello” dhe njëkohësisht për talentin dhe suksesin e saj u nderua me mirënjohje, si dhe talentja e re Vanesa Doçi, të cilat me zërin e tyre e mahnitën publikun në sallë. Programi i filluar me “Bareshën” përfundoi me këngën “Kuq e zi” të kënduar nga Elona Sadiku dhe Anita Syla, të cilat i kanë sjellë medalje të arta Kosovës në Garat ndërkombëtare të këndimit.

Festivali kulturor, i 14-ti me radhë ndërkombëtar dhe i dyti në Kosovë i majtur këtë vit në Prizren, u përmbyll me mesazhin human e njerëzor: “Të gjithë së bashku po ndërtojmë një botë, një botë të re. Dashuria është gjuha jonë që na bashkon…”

Në fund të festivalit u organizuar edhe një koktej me ushqime të ndryshme tradicionale.

photos