INFORMIM

gulistan

Qendra Arsimore ‘Gulistan’, e themeluar menjëherë pas çlirimit te Kosovës, respektivisht kolegjet “Mehmet Akif” dhe shkolla “Internacionale e Prishtines”, janë ndër institucionet e para private në vend, që zhvillojnë suksesshëm veprimtarinë e tyre edukativo-arsimore prej Shkurtit të vitit 2000.

Kolegjet “Mehmet Akif” janë themeluar me lejen e institucioneve përkatëse dhe licensuar nga Ministria e Arsimit të Kosovës. Si çdo institucion tjetër në Kosovë ne zbatojme me përpikmëri legjislacionin përkatës ne fuqi në ushtrimin e aktivitetit tonë edukativo-arsimor.

Synimi ynë është dhënia e kontributit në fushën e arsimimit dhe përgatitjen e brezave të rinj për një të ardhme sa më të mirë duke përdorur të gjitha kapacitetet dhe përvojën tonë në fushën e edukimit. Treguesi më i mirë i arritjes së këtij synimi është pikërisht suksesi i treguar nga nxënësit tanë ndër vite jo vetëm në vend por edhe jashtë, duke e përfaqësuar dinjitetshëm Kosovën në shumë kompeticione e gara ndërkombëtare. Sukseset e njëpasnjëshme të nxënësve tanë, jo vetëm në rezultatet e larta në provimin e maturës, por vazhdimi i shkollimit të mëtutejshëm në universitetet prestigjioze të botës në më shumë se 23 vende është nje arritje për gjeneratat e reja dhe vetë Kosovën.

Pjesë e suksesit tonë janë më se 250 medalje të fituara në vende të ndryshme duke nisur nga SHBA, Evropë, Azi, Afrikë etj. Janë pikërisht nxënësit tanë që kanë arritur të valëvisin flamurin e Kosovës dhe të përfaqësojnë denjësisht vendin tonë në shumë vende të botës. Pjesë e rëndësishme e këtij suksesi janë dhe Ministria e Arsimit të Kosovës si dhe Drejtoritë Arsimore Komunale me të cilat kanë bashkëpunuar dhe kontribuar gjithmonë Kolegjet “Mehmet Akif”.

Sukseseve tona më së fundi iu shtua dhe një medalje e rëndësishme për arsimin në Kosovë. Nxënësja jonë Doruntina Sylejmani nga Gjilani, përfaqësoi Kosovën në Olimpiadën ndërkombëtare të Matematikës të zhvilluar në Hong Kong dhe për herë të parë Kosova fitoi një medalje në një olimpiadë ndërkombëtare të Matematikës.

Treguesi më i mirë i suksesit për një institucion arsimor është interesimi, besueshmëria dhe mbështetja e treguar nga prindërit dhe nxënësit. Familja jonë e madhe çdo vit rritet me këtë përkrahje dhe kjo është njëkohësisht dhe përgjegjësia jonë më e madhe ndaj vendit tonë.

I gjithë aktiviteti ynë është i gërshetuar rreth jetësimit dhe respektit ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe ligjit si dhe bashkëjetesës në paqe. Këto vlera të përbashkëta janë njëkohësisht dhe frymëzimi i mësuesve dhe nxënësve tanë. Demokracia dhe vlerat e lartpërmendura besojmë se janë njëkohësisht dhe shtyllat kryesore të një shoqërie evropiane dhe të zhvilluar. Dëmtimi i këtyre vlerave apo moszbatimi i tyre, është i papranuar nga institucioni dhe stafi ynë.

Kolegjet “Mehmet Akif” të vetmen fushë aktiviteti kanë arsimin dhe edukimin në Kosovë. Si institucion i Kosovës, nuk jemi palë e diskutimeve politike të cilat nuk kanë lidhje me arsimin.

Gjejmë rastin të urojmë të gjithë nxënësit tanë që fituan universitetet në vende të ndryshme të botës. Të gjitha shkollat tona dhe stafi ynë i motivuar, vazhdojnë përgatitjet për vitin e ri shkollor. Aktiviteti ynë arsimor do të vazhdojë duke u zhvilluar dhe me shpresën se sukseset kombëtare dhe ndërkombëtare do të jenë në rritje.

Drejtoria e përgjithshme e QEA” Gulistan”