Komisioni për Arsim i Kuvendit të Kosovës Vizitoi Kolegjin

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës ishte për vizitë pune në Kolegjin ”Mehmet Akif”. Gjatë kësaj vizite kryetari i komisionit Nait Hasani është shoqëruar me anëtarët e komisionit, Shpejtim Bulliqi, Shukrije Bytyqi, Ismajl Kurteshi, stafi mbështetës –analist i fushës së arsimit Shaip Goxhuli dhe praktikanti Granit Brajshori.

Mysafirët u pritën në hyrje të Kolegjit nga Drejtori i përgjithshëm dhe bashkëpunëtorët e tij të cilët fillimisht vizituan mjedise të ndryshme të shkollës në veçanti laboratorët e fizikës, të kimisë dhe të matematikës ku patën mundësinë që ta shohin konkretizimin e disa eksperimenteve të përgatitura nga nxënësit e shkollës. Në kabinetin e matematikës ishte vetë profesori i lëndës, i cili praktikoi aty për aty shfrytëzimin e tabelës së mençur në lëndë të ndryshme. Mysafirët për një kohë të shkurtër ishin prezentë edhe në kabinetin e gjuhës shqipe ku mësimi zhvillohej përmes një prezantimi të përgatitur nga një nxënës.

Në bisedën e zhvilluar gjatë drekës së punës përfaqësuesit e kolegjit i informuan mysafirët për historikun e shkurtër të Institucionit Arsimor ”Gulistan” dhe i falënderuan  organet zyrtare për mbështetjen e tyre që nga fillimi i hapjes së Kolegjit. Ndërsa kryetari i Komisionit z. Hasani foli për përshtypjet e komisionit për punën e kolegjit si dhe shtoi: ”Për ne është me rëndësi që kolegji të nxjerrë kuadra të shumta jo vetëm sa i përket sasisë por edhe cilësisë dhe të cilët do të kontribuojnë për vendin e tonë”. Dreka vazhdoi me përgjigjet ndaj pyetjeve të anëtarëve të Komisionit si dhe me një prezantim të nxënësve të kolegjit që për temë kishte aktivitetet e ndryshme të zhvilluara në shkollat tona.

Në përfundim, Kryetari i komisionit z.Hasani falënderoi për pritjen duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë pune në shkollën tone, si dhe i ftoi për një vizitë nxënësit e shkollës në Kuvendin e Kosovës.

photos