E PËRCOLLËM GJENERATËN E 15-TË TË KOLEGJIT “MEHMET AKIF”

Mbrëmë ishte një natë e veçantë për Kolegjin “Mehmet Akif”, për familjarët e sidomos për maturantët!

Pikëllimi për ndarje nga bankat shkollore, shokët e shoqet u ngushëlluan me muzikën e preferuar të maturantëve e cila e ngrohi atmosferën në një natë të freskët.

Programi filloi me fjalimin mirëseardhës të Drejtorit të përgjithshëm të Institucioneve Arsimore “Gulistan”, i cili e falënderoi shtetin e Kosovës, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe prindërit për besimin dhe mbështetjen ndaj shkollave tona dhe iu dëshiroi maturantëve suksese të mëtutjeshme.

Në programin e udhëhequr nga dy moderatorë të njohur të skenës shqiptare Ilda Bejleri dhe Ervin Kurti mori pjesë edhe ministri i arsimit z. Arsim Bajrami, i cili tha “Sot është një kremtë për Kolegjin “Mehmet Akif”. Një ngjarje e veçantë për prind. E falënderojmë Kolegjin për mundësinë që shumë gjenerata të marrin një mësim të avancuar dhe pa dyshim se ky Kolegj është ndër shkollat më cilësore në Republikën e Kosovës. Ndërsa nxënësve u uroj maturën dhe u dëshiroj mirëseardhje në jetën akademike, suksese, shëndet dhe gjithë të mirat.”

Këtë vit diplomoi Gjenerata e 15-të më radhë e Kolegjit ”Mehmet Akif”. Gjithsej 170 maturantë. Derisa kjo gjeneratë po përgatitet për t’i filluar studimet, gjeneratat e para (2022 të diplomuar) të cilat i kanë përfunduar studimet në 156 universitetet më prestigjioze të 26 vendeve të ndryshme kanë filluar të kontribuojnë për atdhe. Përqindja e nxënësve sipas fushave të preferuara për studime është: 23% fakulteti i ekonomisë, 18% fakulteti i inxhinierisë, 16% fakulteti i mjekësisë etj.

Programi i maturës ishte i larmishëm me pika të ndryshme muzikore dhe valle folklorike e moderne. Parakalimi i maturantëve në skenë me flakadanë u duartrokitë nga prindërit, të afërmit dhe stafi i shkollës i shoqëruar me fishekzjarre dhe zërin e bukur të këngëtares Dhurata Dora.

25 Maj 2017… një natë e freskët dhe me shi… do të jetë natë e paharruar për gjeneratën e 15-të!

photos